Lajmet e Fundit

Pushime në kufijtë e imagjinatës, piratë në bregdetin shqiptar

Written By Zgjohu Shqiptar !!! on e martë, 02 gusht 2011 | 2.03.MD


Plazh në Ksamil
Udhëtim në parajsën e pazbuluar të Jonit dhe Adriatikut…

Njihet si kopshti shkëmbor i Europës Juglindore, aty ku malet e larta e kryeneçe bashkëjetojnë për mrekulli me kaltërsitë e panumërta ujore, që nga veri-perëndimi në jug-perëndim përthyejnë vijën e mistershme të bregdetit shqiptar.

E kur ditët e nxehta të verës vrapojnë, aventura e arratisjes për pushime ka marrë udhë në mendjet e gjithkujt… Janë të panumërta zgjedhjet për të pushuar.

Nga veriu në jug plazhet shqiptare, ranore e shkëmbore janë në pritje të pushuesve, pse jo dhe turistëve të huaj, që priren drejt mistereve të pazbuluara. Dhe brigjet shqiptare fshehin shumë syresh…

Bregdeti i Adriatikut me plazhet e Velipojës, Lezhës në veri-perëndim, plazhet e Durrësit e Kavajës, plazhet e Vlorës dhe plazhet e panumërt të bregdetit jonian, janë sa të dukshëm në hartën turistike shqiptare aq edhe të pacekura nga këmba e pushuesve.

Plazhe të panumërta që për faj të askujt, por ndoshta të gjithkujt janë ende mister edhe për vetë shqiptarët që banojnë përkundruall tyre.

Rana e hedhun, molla e ndaluar e Adriatikut
Plazhi 'Rana e hedhun', Lezhë
E ndërsa lë zhegun e Tiranës për të rrugëtuar në veri-perëndim, drejt Lezhës, të ftojnë plazhet e Shëngjinit, Kunes e Tales.

Në kërkim të misterit, një plazh i magjisë ranore është “Rana e Hedhun”, që shtrihet buzë malit të Rrencit, afro 3-4 kilometra larg Shëngjinit, përgjatë bregdetit Shëngjin-Velipojë.

Këtu shtjellat e rërës së bardhë, që i ka dhënë emrin plazhit, veshin trashë jo vetëm bregun e detit, por edhe një sipërfaqe të madhe të malit të Rrencit.

“Rana e Hedhun”, mollë e ndaluar në të kaluarën për shkak të funksionit të saj si zonë ushtarake në vitet e diktaturës, sot është një perlë e turizmit detar ranor. Pa frikë mund të themi se ky plazh i përngjason plazheve të tropikut apo Karaibeve. Koha për ta zbuluar….

Plazhi i Spillesë, Kavajë
Spilleja, “princesha”që ruajti kurorën e gjelbër

Në vijim të turit zbulues, kthehemi mbrapsht dhe zbresim më në jug, ku aventura vazhdon me plazhet e Kavajës, një vijë e gjatë rreth 35 kilometra, që nis nga përroi i Agait si kufi me Durrësin e përfundon tek grykëderdhja e lumit Shkumbin.

Njëri pas tjetrit shpalosen plazhi i Golemit, i Karpenit, i Bagosë, i Grethit dhe plazhi i Spillesë. Ndalemi këtu, 20 kilometra larg nga Kavaja.

Plazhi i Spillesë dhe i Grethit, zgjaten në 8 kilometra vijë bregdeti duke nisur nga fundi shkëmbor i Bardhorit deri në grykëderdhjen e Shkumbinit.

Ajo që e bën të veçantë plazhin e Spillesë është një brez i gjerë pishash të gjelbëruara e të paprekura nga dora shkatërruese që përshkojnë tërë vijën e saj bregdetare, që ndahet nga zonat e banuara nga kodrat e Kryevidhit, duke e shndërruar zonën në një breg ranor nën hijen e pishave.

Gadishulli i Karaburunit
Gadishulli i “Piratëve”

Lëmë zonën e Spillesë për të vijuar aventurën në jug të vendit, në bregdetin e Vlorës.

Në këtë rrugëtim me makinë na joshin tejet plazhet me ujë të kthjellët si “Uji i Ftohtë”, ai i Orikumit, apo i Radhimës e më tej plazhet e Himarës.

Intimitet dhe aventurë…Në këtë udhëtim, “topsecret” mbeten plazhet e Karaburunit, gadishulli kryemadh në Jug-Perëndim të Shqipërisë, nën këmbët e të cilit, ndahen gjiri i Vlorës nga bregdeti magjepsës i Jonit. Një tjetër zonë ish-ushtarake, e ndaluar për të apasionuarit e bregdetit.

Nga pikat më të larta të Vlorës, si teqeja mbi det e Kuzum Babait, gadishulli i Karaburunit që zgjatet në det 16 kilometra, i përngjan gishtit të madh të dorës, duke na dhënë idenë e një gjigandi që kridhet hijerëndë mbi Jon.

Makina këtu nuk na bën punë. Përdrejt plazheve të pazbuluara të Karaburunit nuk ka rrugë, atje shkohet vetëm përmes detit me skafe apo mjete të tjera lundrimi….

Një udhëtim me skaf turistik kushton 10 000 lekë të vjetra, apo ca edhe më shumë. Ia vlen të shpenzosh për të jetuar një moment të rrallë, të parë ndoshta vetëm në emisionet discovery të brigjeve turistike të botës. Peisazhi që shpaloset është mitik, realiteti merr arratinë, jetojmë përrallën… Para syve zbulohen njëri pas tjetrit një sërë plazhesh sekrete të fshehura nga natyra si me magji…
Gjiret e Karaburunit
Bregu i Karaburunit përthyhet në gjire të vegjël me forma nga më të ndryshmet, plazhe, shpella karstike, kepe, pllaja e shpate të zhveshur. Gjiret e Karaburunit njihen me emra të çuditshëm sipas formave të tyre që i ngjajnë fenomeneve të natyrës të zbuluara nga vetë njeriu apo të shenjtorëve që kanë shkelur prej andej. Gjiri i Ariut, i Dafinës, i Raguzës së parë, i Raguzës së dytë, i Ravenës, i Shën Janit, i Shën Vasilit, janë disa nga misteret që zbulohen sa hap e mbyll sytë. Gadishulli i Karaburunit është i pabanueshëm për shkak se ai është pjesë e zonës teknonike të ishullit të Sazanit, dhe dukuria karstike pason aty mungesën e burimeve me ujë të pijshëm. Këtu evolucioni i natyrës i ka lënë vendin krijimit të kepeve, si ai i Gallovecit, apo edhe kepi i njohur i Gjuhëzës, që ndodhet në pikën më perëndimore të Shqipërisë, aty ku ndahet Joni nga Adriatiku. Por shkelja e kësaj parajse të virgjër detare mbetet ende privilegj për këdo.

Në kërkim të aventurës, plazhet e fshehur të Karaburunit shterojnë kufijtë e imagjinares me realitetin e virgjër që mund ta gjesh duke përshkuar detin. Më tej, në skajin më jugor të Jonit, përbri ishujve të Ksamilit, fshihet një tjetër diamant, Gjiri i Afërditës. Ashtu si thesaret, për ta gjetur duhet të bëheni pak piratë. Ajo që mbetet është të bëni gati bagazhet dhe të nisni aventurën e shumëpritur…

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut ---> "Shperndaje"

Zyrtarët serbë ftojnë të gjithë serbët të jenë në barrikada dhe t’i ndërpresin pushimet


Dy zyrtarët e qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanoviq dhe Borko Stefanoviq, kanë vizituar të martën serbët që ishin të tubuar në barrikadën kryesore në Rudare, duke i porositur ata që problemi të zgjidhet përmes dialogut dhe i kanë ftuar serbët tjerë të kthen nga pushimet dhe të mos largohen nga veriu.

“Ju lutem që në mënyrë paqësore të shprehim dëshirën tonë dhe të mos lejojmë që këtu të krijohet shteti i Kosovës. Duhet të kthehemi nga pushimet dhe të jemi të gjithë këtu. Është e qartë se akoma nuk ka mirëkuptim tek një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare për nevojat dhe qëllimet tona. Jemi kthyer dhe jemi të gatshëm të na arrestojnë dhe përulin, vetëm që qetë dhe dinjitetshëm, me bisedime të arrijmë synimet tona”, ka thënë pranë barrikadës në Rudare, Goran Bogdanoviq.

Sipas tij, Prishtina nuk është e gatshme për bisedime, sepse siç tha ai, “ne jemi bashkëbisedues të padëshirueshëm për një gjë të tillë”.

Ai ftoi serbët për qetësi dhe unitet si kurrë më parë.

Ndërkaq, Borko Stefanoviq i ka porositur të pranishmit për ruajtje të porosive vëllazërore nga Beogradi.

“Kthehuni të gjithë këtu, ndërpreri pushimet dhe mos u largoni tani askund. Ne jemi popull evropian, kjo nuk është geto, kjo është Serbi”, tha Stefanoviq.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut ---> "Shperndaje"

Thaçi paralajmëron aksione të reja në veri


Kryeministri i Kosoves, Hashim Thaçi paralajmëroi se së shpejti mund të ketë aksione të reja të njësisë speciale ROSU në veri të vendit.


“Do të kemi ballafaqime tjera me paramilitarë, huliganë e kontrabandistë, në mënyrë që ligjshmëria dhe kushtetuta e vendit të shtrihen në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, citon Thaçi.

Komentet, kryeministri I Kosovës I bëri gjatë një vizite të përbashkët me presidenten Atifete Jahjaga dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi në njësinë elite të policisë të Kosovës në Vrellë të Sllatinës.

Thaçi fajësoi Beogradin për trazirat në veri, ndërsa tha se nuk do të ketë kthim prapa.

Presidentja Atifete Jahjaga duke iu drejtuar pjesëtarëve të ROSU, tha se ata janë nderi dhe krenaria e vendit.

“Ju ngjallët respektin e tërë vendit, kurse punës suaj i përkulemi ne dhe populli i Kosovës”, u shpreh ajo duke garantuar se për policin e vrarë Enver Zymberi, kriminelët do të marrin dënimin e merituar.

NATO largon barrikadat Serbe

Zëdhënësi i NATO-s në Kosovë, Hans Vihter, tha se aleanca ushtarake ka filluar largimin e postblloqeve të vendosura nga serbët në veriun e vendit.

Vihter, siç raporton AP, tha se paqeruajtësit kanë hequr të paktën tri bllokada që kanë ndaluar KFOR-in të ketë qasje në bazat në veri.

Barrikadat ishin vendosur në shenjë proteste ndaj aksionit të Policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31.

Më herët ishte njoftuar se pika kufitare në Bërnjak është hapur të dielën në mbrëmje për kalimin e udhëtarëve.

KFOR-i ka konfirmuar se hyrja u lejohet vetëm automjeteve dhe autobusëve. “Hyrjet në Jarinë dhe Bërnjak kanë qenë të mbyllura për shkaqe sigurie. Pas përmirësimit të gjendjes së sigurisë në Zubin Potok, ka qenë e mundur hapja e pikës në Bërnjak”, ka thënë zëdhënësi Vihter.

Nderkohe, kreu i ekipit per negociata per Beogradin, Borislav Stefanoviç dhe ministri për Kosovën Goran Bogdanoviç, nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë, pavarëisht se ata gjatë natës kanë mundur të hyjnë në rrugë alternative. Mediat serbe raportojnë se dy përfaqësuesit serb vazhdojnë të jenë në Kosovë.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut ---> "Shperndaje"

Totali i Shikimeve te Faqes

 
Support : Creating Website | " Zgjohu Shqiptar !!! " | Albania
Copyright © 2010 - 2013. Zgjohu Shqiptar ! - All Rights Reserved
Ndalohet ripoodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.
Info dhe Marketing: zgjohushqiptar@gmail.com